Joan Laporta është zotuar se do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta mbajtur Lionel Messin, natyrisht nëse zgjidhet president i Barcelonës.
Ish-presidenti kataluanas konsiderohet favorit për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme dhe tashmë objektivi kryesor është i qartë.
Superylli argjentinas ka kontratë me Blaugranët deri në fund të qershorit dhe që tani mund të negociojë me klubet e interesuara për largimin nga Camp Nou.
Paris Saint-Germaini dhe Manchester City janë të gatshëm të bëjnë oferta të majme që 33-vjeçari të nënshkruajë për ta.
Megjithatë, në një prononcim për Sky Sport, Laporta është zotuar se do të japë maksimumin për ta bindur Messin të qëndrojë.
“Do të na duhet një ofertë konkurruese sportive. Ai është fitimtar dhe dëshiron të triumfojë me Barcelonën. Do të bëj gjithçka që është e mundur, ka shumë qe e duan atë dhe do të kemi nevojë për një ofertë të rëndësishme. Paratë nuk garantojnë tituj”.
“Messi gjeneron më shumë të hyra se shpenzimet, çmimi i tij është tetë për qind nga totali, ai gjeneron 30 për qind të të ardhurave të klubit”.
“Është fitimprurës për Barcelonën, por më e rëndësishmja, që është e paçmueshme, është të pyesësh një fëmijë, se kush është më i miri në botë. Ata thonë menjëherë, Messi”, është shprehur Laporta. /Telegrafi/