Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka njoftuar për nënshkrimin e sulmuesit Vitor Roque, ndërsa ka konfirmuar se do të bëhen edhe tri transferime tjera.
Sulmuesi i ri vjen nga Athletico Paranaense, por nuk do të jetë transferimi i fundit për klubin nga Camp Nou.
Kjo është konfirmuar nga presidenti i katalunasve, Laporta, i cili ka thënë se po punojnë edhe për tri transferime këtë verë.
“Inigo Martinez dhe Ilkay Gundogan janë dy lojtarë të kërkuar nga Xavi. Për Victor Roque mund të themi se është bërë. Na mungon një mbrojtës i djathtë dhe po punojmë për këtë. Dhe më pas duam të përforcojmë mesfushën me dy prurje”, ka thënë fillimisht Laporta.
Laporta thotë se ata janë në gjendje të veprojnë pasi kanë rënë dakord për një plan financiar me La Liga.
“Po, rregullorja ka ndryshuar, plani ynë është miratuar nga La Liga, por duhet të respektohet. Dhe ne do ta kishim respektuar edhe nëse La Liga nuk do të na kishte detyruar ta bënim”.
“Klubi ka nevojë për të. Kemi një marrëdhënie të mirë përsëri, institucionalisht, me La Ligën. Dhe gjithashtu personalisht midis Presidentit Tebas dhe meje. Dhe kështu duhet të jetë”, përfundoi presidenti i Barcelonës. /Telegrafi/