Harry Kane ka shënuar katër gola në fitoren bindëse të Tottenham Hotspur (5-1) në ndeshjen miqësore kundër Shakhtar Donetsk.
Të zgjedhurit e Ange Postecoglout e dominuan ekipin kundërshtar në sfidën e të dielës, ndërsa sulmuesi anglez ishte ylli i takimit.
Derisa po vazhdon saga e transferimit të tij te Bayern Munich, Kane u kujdes që të ishte protagonist në sfidën e zhvilluar në Tottenham Hotspur Stadium.
Liga Premier fillon në fundjavën e ardhshme, ndërsa e ardhmja e 29-vjeçarit vazhdon të jetë e paqartë.
Ai ka kontratë edhe për një sezon me Spursat, por ka refuzuar ta vazhdojë atë, ndërkohë që pronari Daniel Levy akoma nuk i është përgjigjur ofertës së Bayernit në vlerë prej 100 milionë eurosh për sulmuesin.
Bavarezët duan ta bëjnë anglezin transferimin më të shtrenjtë në histori, ndërsa Tottenhami deri më tani ka hezituar ta lejojë largimin e tij, edhe pse mund ta humbë me parametrat zero në verën e ardhshme. /Telegrafi/