Në panairin e Parisit, pritet të mungojnë shumë emra të mëdhenj të automobilizmit
Nuk është se prodhuesit nuk po duan të jenë pjesë e këtij panairi, por se interesimi për to ka rënë në masë të madhe, transmeton Telegrafi.
I fundit që nuk do të jetë pjesë e Paris Motor Show, është edhe prodhuesi italian Lamborghini.
Kjo vije menjëherë pas deklaratës së Volkswagen, që ka vendosur të mos jetë pjesë e shfaqjes në kryeqytetin e Francës.
Ford, Nissan dhe Infiniti, po ashtu nuk do jenë pjesë e panairit. Por, nuk ka rënë interesimi vetëm për Paris.
Audi, BMW dhe Mercedes-Benz deklaruan se nuk do jenë pjesë në panairin e Detroitit që zhvillohet në janarin që vjen.
Arsyeja pse prodhuesit nuk po marrin pjesë nëpër panaire, është shkaku i rënies së interesimit dhe humbjes së shkëlqimit që kishte dikur.
Epoka digjitale, si rrjetet sociale dhe platformat online, e kanë ndryshuar tërësisht mënyrën se si klientët njoftohen dhe kanë qasje te prodhimet e reja.
Tjetër faktor i rëndësishëm, janë shumat marramendëse që shpenzohen për këto organizime.
Para disa viteve, Audi i ka shpenzuar në Frankfurt 50 milionë euro, për stendën ku kishte edhe pistën për të demonstruar modelin e ri. /Telegrafi/