Ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci i ka dhënë mbështetje të plotë ish shefit të tij, Hashim Thaçi në idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, që parasheh bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, Republikës së Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se është pro ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës.
“Personalisht qëndroj fuqishëm në ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, por natyrisht jam në favor të bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën. Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën do të ndikonte pozitivisht në stabilitetin në mes të dy shteteve, por edhe në stabilitetin rajonal”, tha Grabovci në intervistën për FaktePlus.
Ish kreu i grupit parlamentar të PDK-së, thotë se fal presidentit Thaçi, Lugina është kthyer në top agjendë do të trajtohet ashtu siç duhet në Bruksel.
“Fal presidentit Thaçi tanimë Lugina e Preshevës është në top agjendë dhe se kjo çështje do ta ketë trajtimin e duhur në Bruksel. Prandaj, nuk duhet të shikohet të minohet ky proces vetëm pse presidenti Thaçi është duke e shtyrë ketë çështje. Lugina do të duhej të na bashkonte, ashtu siç ishim të bashkuar në të kaluarën e afërt. Arritja e marrëveshjes me Serbinë do t’i hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Një marrëveshje e tillë do të ishte edhe në të mirë të Serbisë dhe rajonit në përgjithësi”, thekson ai.
Megjithatë, Grabovci thotë se dialogu me Serbinë duhet ta unifikoj skenën politike të Kosovës, e jo ta ndajë.
“Dialogu me Serbinë duhet të na bashkojë të gjithëve, dhe jo të na ndajë. Sa më të ndarë në dialog, aq më të dobëta do të jenë pozicionet e Kosovës në këtë proces. Ne nuk kemi alternativ tjetër, përpos dialogut. Pozita dhe opozita duhet të bëhen bashkë në këtë proces, siç kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm të bashkuar mund të kemi sukses, siç kemi pasur sukses në luftën çlirimtare dhe shpalljen e pavarësisë”, tha ai.
Grabovci i quan qesharake etiketimet që po iu bëhen presidentit Thaçi nga partitë opozitare.
“Ta akuzosh Thaçin për tradhti është hipokrizi dhe absurditet. Angazhimet e Thaçit, gjithmonë kanë qenë në vijë me interesat e shtetit të Kosovës. Edhe angazhimet e tij të fundit janë të kësaj natyre. Falë angazhimeve të fundit të Thaçit, e gjithë bota perëndimore ka kthyer sytë kah Kosova. Ju e dini se kohëve të fundit, Kosova ka qenë e margjinalizuar në arenën ndërkombëtare, por fal vizionit të presidentit Thaçi, sot Kosova është në top agjendën e qendrave vendimmarrëse botërore”, është shprehur Grabovci.
Sipas tij, angazhimi i presidentit Thaçi, ka bërë që fuqitë evropiane dhe botërore, miqtë ndërkombëtarë të rikonfirmojnë se Kosova është sovrane dhe e pandashme.
Grabovci ka ftuar që të lihen inatet personale dhe të bëhen bashkë.
“E them pa modesti se lidershipi i Thaçit tejkalon përmasat e politikës shtetërore. Ai është lider i kalibrit të përmasave rajonale. Veprimet e Thaçit janë në funksion të arritjes se një marrëveshje me Serbinë, i cila do t’i jepte fund pasigurisë dhe jostabilitetit ndërshtetëror dhe rajonal”, theksoi Thaçi.