Site icon Telegrafi

Lajçak vazhdon takimet me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, thotë se janë produktive

Ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se ka pasur një takim me Jens Ploetner, këshilltarin për Punët e Jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në kuadër të angazhimeve për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak ka ndarë detaje të takimit në një postim në Facebook, duke theksuar se ka qenë në Berlin, ku ka diskutuar me Ploetner dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Ditët e fundit, Lajçak ka zhvilluar një sërë takimesh të cilat i ka cilësuar si të dobishme për të nxitur përpjekjet e dialogut dhe zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Ai vijoi me një përmbledhje të aktiviteteve të tij të fundit, duke përmendur pjesëmarrjen në forumin GLOBSEC në Sllovaki, një diskutim në Bukuresht, si dhe konferenca të tjera në Tangier dhe Selanik, ku ka trajtuar tematika që përfshijnë sigurinë globale dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në kuadër të politikave të BE-së.

Në Bruksel, Lajçak ka mbajtur takime produktive me përfaqësues të qeverisë, duke diskutuar angazhimin dhe reformat e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.

Ai gjithashtu ka ofruar përditësime për dialogun Kosovë-Serbi në takime me përfaqësues të BE-së si dhe në një seancë me Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Ky cikël i fundit i takimeve dhe aktiviteteve thotë Lajçak tregon angazhimin e vazhdueshëm për të ndihmuar regjionin në rrugën drejt integrimit evropian dhe për të nxitur përmirësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, ditë më parë është raportuar se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme.

Ky Këshill pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizim të raporteve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitura për këtë takim, ku nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjes në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument./Telegrafi/

Exit mobile version