Site icon Telegrafi

Lajçak tregon nëse njohja e Kosovës do të jetë pjesë e dialogut në Bruksel

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka treguar  nëse njohja e Kosovës do të jetë temë e bisedimeve të ardhshme në Bruksel me palën serbe.

Lajçak, në një intervistë për RTK, ka thënë se po punon për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas tij, Kosova e Serbia duhet të dakordohen nëse do të ketë apo jo njohje reciproke në procesin e dialogut.

“Me këtë BE-ja nuk dëshiron të përshkruajë se çfarë është normalizimi apo çfarë nuk është. BE-ja nuk thotë se duhet të jetë kjo, apo nuk duhet të jetë ajo. Mesazhi është i qartë se Kosova dhe Serbia duhet të bien dakord se çfarë do të thotë normalizimi. Nëse pajtohen të jetë njohja, nëse të dyja palët bien dakord, njohja është njohje, por ata duhet të bien dakord. Nëse nuk janë dakord, është diçka tjetër. Çështja është se ajo duhet të jetë marrëveshja ndërmjet të dyja palëve, mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi dialog”, ka thënë diplomati sllovak.

Ai deklaroi se plani ishte që do të kishte një takim të nivelit të lartë ende para pushimeve verore, por kjo nuk ndodhi.

“Por, ky nuk është problem as tragjedi. Me e rëndësishmja është se të dy liderët, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, të cilët janë pajtuar për takimin, kanë rënë dakord që të takohen rregullisht. Ata janë dakorduar që dialogun ta çojnë në atë nivel dhe në të njëjtën kohë në duhet të sigurohemi që ky takim i tretë, i treti takim zyrtar në Bruksel, të jetë pozitiv dhe të jap rezultate konkrete”, tha ai .

Sipas tij për ta nuk është e rëndësishme se ku do të mbahet takimi, por cilësia e takimit. “Pas vlerësimit të situatës vendosem që është më mirë të presim pak dhe të sigurohemi që takimi të jetë i mirë”, pohoi ai.

Lexo po ashtu Dështimi i takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, Qeveria e Kosovës thotë se Serbia ka për qëllim sabotimin e procesit të dialogut

Edhe përkundur mos takimit të liderëve, Lajçak tha se ata janë të përkushtuar ndaj dialogut.

“Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur dialog krejt një vit. Vitin e kaluar u fokusuan në diskutimet mes kryenegociatorëve. Ne po punonim shumë. Ata vinin këtu në Bruksel në baza mujore dhe sigurisht ky angazhim rezultoi në një marrëveshje shumë të rëndësishme për energjinë në udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve energjetike nga viti 2013 dhe 2015. Janë tre ose katër marrëveshje në një fazë shumë të afërt të finalizimit. Dhe në çfarë ne angazhohemi në të njëjtën kohë me të dy liderët duke diskutuar veçmas hapat e ardhshëm ose një fazë tjetër të dialogut dhe ne ramë dakord që me të vërtetë kryenegociatorët do të vazhdojnë punën e tyre, por ne duhet të shtojmë shtresën e lartë sepse normalizimi eshtë agjenda e liderëve, kështu që të dy janë gati. Të dy janë gati të vijnë, por siç thashë ne donim të kishim edhe garanci që takimi do të jetë produktiv dhe do të prodhojë diçka konkrete. Dhe që nga kjo nuk kemi pasur ndjesinë se rrethanat nuk janë të favorshme për këto. Ne vendosem ta shtyjmë takimin”, tha ai.

Sipas tij, takimi mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiq nuk duhet të vonohet, ky takim duhet të ndodh më së largu deri në fillim të shtatorit.

“Është gjithmonë e ndërlikuar të luash me takime. Kur isha në Prishtinë thash se unë këtë e pres para pushimeve verore, por jeta ndonjëherë ndryshon planet tona. Por definitivisht nuk do të humbas kohën time e të punoj për takimin e radhës pa vonesë. Qoftë fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur përtej kësaj”, tha ai.

Exit mobile version