Site icon Telegrafi

Lajçak takon Vuçiqin në Davos, flasin për dialogun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se e ka takuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut.

Dy zyrtarët kanë zhvilluar takime në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.

“Bisedë e hapur me Miroslav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe kërcënimet me të cilat përballet popullata serbe çdo ditë, të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.

Vuçiq i ka përsëritur disa herë ato që i konsideron kërcënime ndaj popullatës serbe në Kosovë, por pa ofruar fakte për pretendimet e tij.

“E ritheksova se Serbia vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme të bazuar në dialog dhe të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu paralajmërova se lëvizjet e Prishtinës vënë në pikëpyetje gjithçka që është arritur deri më tani në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë presidenti serb.

Në këtë Forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por nuk dihet nëse ai do të ketë një takim me Vuçiqin këto ditë. /Telegrafi/

Exit mobile version