Telegrafi

​Lajçak takon edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, flasin për dialogun dhe zhvillimet në veri

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Këta të fundit emisari Lajçak ka thënë se i ka njoftuar për dialogun, derisa ka shtuar se ka dëgjuar pikëpamjet e tyre për zhvillimet në veri të Kosovës.

Lexo po ashtu Lajçak optimist se opozita nuk do ta kundërshtojë Propozimin evropian

“Kam biseduar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe për t’i informuar për dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet dhe vlerësimet e tyre për zhvillimet në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndryshe, Lajçak këtë të premte ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe në fund kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit me këtë të fundit, Lajçak ka thënë se nuk është i shqetësuar nëse partitë politike opozitare do t’i thonë jo marrëveshjes. Ai madje u shpreh optimist se ato nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

Mes tjerash, emisari ka deklaruar se takimet e kanë përmbushur qëllimin e tij.

“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare, dhe jam takuar me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në dhe i kam njoftuar për procesin, për pritjet e bashkësisë ndërkombëtare. Ata kanë shpjeguar qëndrimin e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjes për takimin e datës 18. Mendoj që është shumë e rëndësishme që edhe ata të dëgjojnë nga unë, dhe jo vetëm nga media apo nga Kuvendi, prandaj për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, është shprehur Lajçak para mediave. /Telegrafi/