Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar sot në Bruksel Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialogun me Serbinë.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka bërë të ditur se në takimin e sotëm është biseduar për hapat e ardhshëm në dialog.
“Patëm një diskutim të gjatë dhe të detajuar me Besnik Bislimin sot në Bruksel për gjendjen e tanishme dhe hapat e ardhshëm në dialog”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.
Had a long and detailed discussion with @BislimiBesnik today in Brussels about the state of play and next steps in the Dialogue. pic.twitter.com/tGQvSS2DzQ
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) July 14, 2022
Edhe Besnik Bislimi përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar për takimin me Lajçakun.
“Së bashku me Përfaqësues Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, diskutuam për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut. Kosova do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë konstruktive dhe aktive në procesin e dialogut”, ka shkruar Bislimi.
Together w/🇪🇺Special Rep. @MiroslavLajcak we discussed about the next steps in the dialogue process.
Kosova will continue to participate constructively & actively in the dialogue process. pic.twitter.com/Sk874OD5fN
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) July 14, 2022
Takimi i sotëm i Lajçakut mund të jetë në kuadër të përgatitjes së një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq i paralajmëruar të mbahet në pjesën e dytë të këtij muaji (korrik).
Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se janë duke punuar për organizimin e takimit Kurti-Vuçiq, i cili pritet të mbahet gjatë muajit korrik.
Ditë më parë nga zyra e kryeministrit Kurti i kanë thënë Telegrafit se ende nuk ka ftesë zyrtare nga Brukseli për një takim të tillë, por ai mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut.
Ndërkohë, Lajçak gjatë Forumit të 15-të në Dubrovnik tha se janë gati tri-katër marrëveshje ndërmjet dy palëve dhe se pret që ato të finalizohen së shpejti.
Ai me atë kishte thënë se vlerëson të dyja palët [Kosovën dhe Serbinë] për takimet mujore në nivel të negociatorëve kryesorë dhe shtoi se ekziston marrëveshja që takimet të zhvillohen në nivelin më të lartë [Kurti-Vuçiq]. /Telegrafi/