Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, deklaroi se takimet e deritashme Kurti-Vuçiq nuk kanë qenë edhe aq produktive nga perspektiva diplomatike.
Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, Lajçak tha se janë duke punuar që takimi i radhës mes palëve të japë rezultate.
“Ju e dini që i kemi pasur dy takime në kuadër të dialogut, që nga formimi i Qeverisë Kurti. Nga perspektiva diplomatike nuk kanë qenë edhe aq produktive dhe për këtë arsye jemi angazhuar në takime individuale me të dyja palët”.
“Po sigurohemi që takimi i radhës të japë rezultate. Nuk dëshirojmë që ata të takohen dhe ta kritikojnë njëri-tjetrin, por të pajtohen për gjëra të rëndësishme për qytetarët, Kosovën dhe Serbinë”, pohoi emisari i BE-së.
Ai tutje tha se janë duke punuar për takimin e radhës, dhe sipas tij, ekipi negociator po funksionin mirë, por se normalizimi i marrëdhënieve është përgjegjësi e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi duke punuar për takimin e radhës. Ndjej se e kemi momentumin që të fillojmë takime më të rregullta. Ekipi negociator po punon mjaft mirë, por normalizimi i marrëdhënieve është përgjegjësi e udhëheqësve”. /Telegrafi/