Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Forumin e Dubrovnikut, i është kundërpërgjigjur ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Kjo e fundit në fjalën e saj në Forumin e Dubrovnikut kritikoi ashpër BE-në duke thënë se ajo pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është “tigër prej letre”.
Ndërkaq, Lajçak në replikën e tij ka thënë se “BE-ja është larg të qenit perfekt, por është më i miri që kemi”.
Ai gjithashtu është shprehur se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që duan të anëtarësohen në të.
“Gjëja e parë që dua të them është se BE-ja është larg të qenit perfekt, por është më e mira që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka bashkim tjetër shtetesh në këtë planet qe ka sjellë stabilitet politik, prosperitet ekonomik, kohezion social më të madh dhe respekt për të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE-së”, ka thënë emisari evropian.
Ndaj Gërvallës ka reaguar edhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se çdo gjë pozitive i ka ndodhur rajonit si rezultat i bashkëpunimit SHBA dhe BE.
“Më vjen keq, që dua të dalloj këtu me kolegen time nga Kosova, por çdo gjë pozitive që ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit është arritur me bashkëpunimin e kombinuar SHBA-BE. Integrimi mbetet aspirata jonë më e lartë për rajonin”, ka theksuar diplomati amerikan. /Telegrafi/