Site icon Telegrafi

Lajçak: Po përgatis takimin mes Kurtit e Vuçiqit para pushimeve të verës

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se është duke organizuar një takimin në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Lajçak shpreson se takimi mes Kurit dhe Vuçiqit të realizohet para pushimeve të verës.

Ai tha se ajo me të cilën po merren tani është implementimi i marrëveshjeve që janë nënshkruara në të kaluarën, trajtimi i problemeve aktuale dhe formësimi i raporteve në të ardhmen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjëja e dytë që ne po bëjmë është se po i adresojmë çështjet aktuale, problemet e krijuara siç ishte problemi me targat e që krijoi kriza serioze në shtator. Ne po sigurohemi që gjërat nuk do të dalin jashtë kontrollit dhe nuk do të ketë tensione sepse këto askujt nuk i duhen. Gjëja e tretë dhe më e rëndësishme është që t’u japim formë raporteve në të ardhmen mes Kosovës dhe Serbisë dhe këtë ne e quajmë normalizim. Ka shumë punë, jo aq të dukshme, negociatorët takohen çdo muaj dhe gjithmonë kemi 7, 8, 9 tema në agjendë, kemi disa dokumente në fazë të avancuar të përgatitjes dhe unë po planifikoj të përgatisë takimin e ardhshëm mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel së shpejti dhe po punojmë mbi të”, tha Lajçak për RTV21.

Ai tha se ambicia e tij është që takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit të ndodhë para pushimeve të verës.

Lajçak ka folur edhe për planin e Ahtisaarit, për të cilin tha se ishte i pasuksesshëm.

“Plani i Ahtisaarit nuk ka tentuar për të gjetur një zgjidhje, por ne e dimë se nëse plani i Ahtisaarit do të kishte sukses, nuk do të kishte nevojë për dialog, kështu që ne nuk po përpiqemi të ndërtojmë planin e Ahtisaarit, nuk po kërkojmë që ata të japin më shumë se sa janë zotuar për planin e Ahtisarit, ne duam të përfundojmë atë që plani i Ahtisaarit filloi, por nuk e mbaroi, në këtë proces historik dhjetëvjeçar ka pasur momente shumë të forta dhe të mira dhe marrëveshje të rëndësishme të cilat i ka dhënë me rezultate shumë konkrete”, ka thënë Lajçak.

Exit mobile version