Telegrafi

Lajçak për situatën në veri: Absolutisht e panevojshme dhe e palogjikshme

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës është i panevojshëm dhe i palogjikshëm.

Lajçak duke folur për Deutche Welle-n në gjuhën serbe, ka thënë se dialogu është rruga e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

“Është e qartë se kjo mund të zgjidhet vetëm politikisht dhe kjo do të thotë përmes dialogut ekzistues”, tha Lajçak.

I pyetur se cila ishte në fakt arsyeja e këtij përshkallëzimi të situatës, Lajçak tha se ajo ka të bëjë me mosbesim të thellë mes dy komuniteteve.

“Arsyeja është mosbesimi i thellë mes dy komuniteteve, shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Së dyti, serbët u tërhoqën nga institucionet e Kosovës. Zgjedhjet u mbajtën në katër komuna dhe pjesëmarrja ishte 3.4 për qind.

Pra, këta kryetarë bashkie të sapozgjedhur i kanë përmbushur kriteret ligjore, por kur flasim për legjitimitet apo përfaqësim, atëherë sigurisht që ka një pikëpyetje të madhe.

Më pas, të premten e kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi t’i futë ata kryetarë komunash në ndërtesat komunale në zonat e banuara me serb, serbët tentuan ta bllokojnë atë. Dhe kjo është situata që kemi deri më sot”, tha Lajçak. /Telegrafi/