Site icon Telegrafi

Lajçak pas takimit me Listën Serbe: Serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai evropian Miroslav Lajçak kanë përfunduar takimet në Kosovë për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri.

Lajçak, pas takimit me Listën Serbe ka thënë se nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës pa “popullatën e prekur”.

Lexo po ashtu Lajçak pas takimit me krerët e opozitës: U shpjegova për dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës

“Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, ka thënë Lajçak.

“Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, ka shkruar ai në Twitter.

Lista Serbe njoftoi se gjatë takimit ka përsëritur kërkesat e saj, që janë tërheqja e Policisë së Kosovës nga veriu dhe kryetarëve të rinj shqiptarë dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me përfaqësuesit e partive të tjera opozitare shqiptare në Kosovë.

Lajçak tha se partitë opozitare u informuan për “pasojat e krizës aktuale dhe dëmin e reputacionit të Kosovës”.

“U kërkuam atyre që të mbështesin zgjidhjen politike për shtensionimin e situatës”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version