I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak të mërkurën mbrëma ishte për vizitë në Kosovë, gjersa është intensifikuar dialogu Kosovë-Serbi, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje.
Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në një postim në Twitter ka shkruar se kanë biseduar për hapat e mëtejmë në dialog.
Ai bëri të ditur se kanë rënë dakord se të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në kuadër të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, shkruan Lajçak.
Back in Kosovo today to continue my frank, open and intense discussions with PM @albinkurti and DPM @BislimiBesnik on next steps and the way forward on normalisation of relations with Serbia. We also agreed that all past Dialogue Agreements must be fully implemented. pic.twitter.com/zURabtdEmF
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) January 25, 2023
Ndryshe, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe është në ndër marrëveshjet që janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
Edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, sërish ka folur për çështjen e asociacionit dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Price tha se SHBA-ja dhe BE-ja presin që palët “të përmbushin përgjegjësitë e tyre”.
“Kosova dhe Serbia në këtë rast duhet të zbatojnë marrëveshjet që tashmë kanë nënshkruar përmes këtij procesi të dialogut”, tha ai. /Telegrafi/