Site icon Telegrafi

Lajçak paralajmëron vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në fillim të shtatorit

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten (26 gusht) se ka biseduar përmes takimeve të veçanta me zëvendëskryministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq për përgatitjet e takimit të radhës në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak ka thënë se diskutimet kanë qenë thelbësore për takimin mes delegacioneve që pritet të zhvillohet në fillim të shtatorit.

“Sot, kam pasur diskutime thelbësore të veçanta me Zëvendëskryeministrin e Parë të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me Drejtorin e zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, në lidhje me përgatitjet për takimin e ardhshëm të dialogut në nivel kryenegociatorësh në fillim të shtatorit”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Bislimi dhe Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bisedimet kanë të bëjnë me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte problemet e hapura mes dy vendeve.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur në muajin korrik, por nuk ishte arritur asnjë përparim.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, pati thënë pas takimit se ai ka propozuar një deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, kishte thënë Kurti.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se pala kosovare gjithmonë kushtëzon me “kritere të reja politike”.

Për në muajin shtator ishte paralajmëruar se do të mbahet edhe takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011.

Serbia insiston që Kosova të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, pala kosovare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Exit mobile version