I dërguari special i BE-së për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se po bëhen përgatitjet për raundin e ardhshëm të bisedimeve në Bruksel në nivelin e kryenegociatorëve.
Megjithëse nuk ka një datë të caktuar ende, pritet që Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq të përballen në këto diskutime të rëndësishme.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Lajçak ka folur rreth marrëveshjes së arritur mes KEDS dhe Elektrosever, e cila hap rrugën për furnizimin e komunave veriore të Kosovës me energji elektrike nga kompania ‘Elektrosever’.
Ky zhvillim llogaritet si një hap pozitiv në implementimin e Udhërrëfyesit për Energjinë dhe sinjalizon progres në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Lajçak ka theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për energji si një zgjidhje të problematikës së energjisë në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, duke i dhënë fund praktikave të mëparshme jo të rregullta.
Ndërsa njofton për agjendën e tij të ngjeshur, i dërguari i BE-së ka raportuar për takimet dhe diskutimet e zhvilluara me anëtarët e Komisionit të Çështjeve të Bundestagut gjerman dhe ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Duke reflektuar mbi këto takime, Lajçak ka shprehur falënderimin për mbështetjen e Gjermanisë dhe ka përcjellë një mesazh optimist për të ardhmen e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Tutje, Lajçak përmend pjesëmarrjen e tij në një panel në Samitin e Miqve të Evropës – BE-Ballkani Perëndimor, ku ka theksuar gatishmërinë e BE-së për zgjerim dhe nevojën për të shfrytëzuar momentumin për integrimin e rajonit në strukturat evropiane.
“Kooperimi i ngushtë BE-SHBA në kontekstin e dialogut është gjithashtu një pikë kryesore e diskutimeve”, tha Lajçak./Telegrafi/