Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se në bisedë me zëvendës/sekretarin e NATO-s, janë dakorduar lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
Zëvendës/sekretari i NATO-së, Mircea Geoana, ka thënë se si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin.
“NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka thënë Geoana.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se është plotësisht dakord me ato që ka thënë Geoana.
“Jam plotësisht dakord me zëvendës-sekretarin e NATO-s, Mircea Geoana. Jam mirënjohës për koordinimin e shkëlqyer BE-NATO, si me udhëheqjen e nivelit të lartë, ashtu edhe me KFOR-in në terren”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.
Fully agree with @Mircea_Geoana. Grateful for excellent 🇪🇺-@NATO coordination – both with the leadership at HQ-level and @NATO_KFOR on the ground. https://t.co/NmGOawSPZ5
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 5, 2022
Përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë vendosur të shtunën e 5 nëntorit që të mos jenë më pjesë e institucioneve të këtij shteti. Kjo pasi ata nuk e mbështesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS – Republika e Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.
Ai ka bërë të ditur se vendimi do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit. /Telegrafi/