Emisari special i BE-së Miroslav Lajçak, ka folur pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Përmes një shkrimi në Twitter, tha se ka dakordim të përshpejtohet puna për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Në Kosovë, së bashku me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarm, takuam Presidenten Vjosa Osmani. Ndër të tjera, ramë dakord për nevojën e përshpejtimit të punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, ka thënë Lajçak.
Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Në shtator të vitit 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.
Në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe se është e rëndësishme të hapen arkivat shtetërore të Serbisë.
Duhet kujtuar se edhe mbi 1600 persona konsiderohen si të pagjetur që nga koha e luftës në Kosovë.
Ndryshe, Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, me qëllim inkurajimin e liderëve të të dyja shteteve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. /Telegrafi/
In Kosovo, together with DAS Escobar I met with @VjosaOsmaniPRKS and among others, we agreed on the need to speed up the work of resolving the fate of the remaining missing persons. pic.twitter.com/zFHZ6JZ58L
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) January 31, 2022