Site icon Telegrafi

Lajçak nuk do të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër

Përfaqësuesi aktual i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, nuk do të marrë detyrën e ambasadorit të BE-së në Zvicër, për shkak të “zhvillimeve të paparashikuara,” sipas një njoftimi të delegacionit të bllokut në Bernë.

Lajçak ishte caktuar për të shërbyer si ambasador i BE-së në Zvicër në fillim të këtij viti, ndërsa në korrik, vendet anëtare të bllokut vendosën të zgjatin mandatin e tij si dërguar i posaçëm për dialogun deri në janar të vitit 2025.

Megjithatë, të premten, delegacioni i BE-së në Zvicër njoftoi se mandati i ambasadorit aktual, Petros Mavromichalis, është zgjatur deri më 31 gusht 2025.

“Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, Miroslav Lajçak nuk do ta marrë detyrën e ambasadorit në Bernë. Mandati i ambasadorit të tanishëm, Petros Mavromichalis, është zgjatur deri më 31.08.2025,” deklaroi delegacioni në një postim në platformën X.

Në njoftim nuk u dha asnjë detaj shtesë lidhur me zhvillimet “e paparashikuara” të përmendura.

Gjatë verës, BE-ja ka qenë në kërkim të një zëvendësuesi për Lajçakun.

Ndërkohë, të premten, Lajçak vizitoi Kosovën dhe zhvilloi një takim në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Pas takimit, Lajçak deklaroi se është arritur një marrëveshje për të zhvilluar një raund të ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por nuk specifikoi ndonjë datë për mbajtjen e këtij takimi. /Telegrafi/

Exit mobile version