Site icon Telegrafi

Lajçak në Washington koordinohet me amerikanët për marrëveshjen Kosovë-Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Washington ku ka zhvilluar konsultime lidhur me bashkëpunimin SHBA-BE dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se gjatë qëndrimit treditor në Uashington DC ka zhvilluar takime dhe produktive rreth bashkëpunimit BE-SHBA për Ballkanin Perëndimor.

“Sapo përfundova vizitën tre-ditore në Uashington DC. Pata një numër takimesh intensive dhe produktive rreth bashkëpunimit BE-SHBA për Ballkanin Perëndimor. Diskutuam edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.

Sipas të fotografive të postuara në Twitter, shihet se Lajçak gjatë gjatë qëndrimit në Uashington ka zhvilluar takim edhe me emisarin ë SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndryshe, Escobar dhe Lajçak gjatë një vizite në shkurt të këtij viti në Prishtinë theksuan se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës nuk ishin në pikëpyetje dhe se askush nuk ishte i interesuar të krijonte një Republikë Serbe të re në Kosovë.

Ndërsa takimi i fundit i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 13 maj, lidhur me targat,  ka përfunduar pa marrëveshje.

Lexo po ashtu Takimi në Bruksel për targat dhe energjinë, Bislimi: Serbia nuk ishte konstruktive

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë. /Telegrafi/

Exit mobile version