Site icon Telegrafi

Lajçak: Ka mënyra shumë më të mira për t’i larguar barrikadat sesa me buldozerë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, dhe jo atë përmes buldozerëve.

“Nuk jemi të kënaqur me situatën në veri. Nuk dua të bëj me gisht për fajtorin. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt. Jemi të zotuar për të gjetur një zgjidhje për situatën”, tha diplomati sllovak.

“Unë jam diplomat dhe ka mënyra shumë më të mira për t’i larguar barrikadat se sa me buldozerë”, shtoi i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Kam pasur diskutim të gjatë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën nesër në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it sonte, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, deklaroi tutje Lajçak.

Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.

Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.

Më të dërguarin amerikan është takuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive opozitare në Kosovë.

Deri tani diplomati amerikan nuk ka folur për mediat rreth vizitës së tij në Kosovë.

Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19./Telegrafi/

Exit mobile version