Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, një ditë para së të vizitojë Kosovën, ka folur për marrëveshjet e arritura nga Kosova e Serbia në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë.
Ai ka thënë se të gjitha shtetet anëtare të BE-së e shikuan me vëmendje nënshkrimin e dokumenteve nga presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës në prani të Presidentit të SHBA-ve në Shtëpinë e Bardhë në Washington, DC.
“Palët duhet të flasin vetë për premtimet që ata kanë bërë ndaj ShBA-së në dy dokumentet të veçanta që janë nënshkruar. Për ne, BE-në, dokumentet përmendin elemente të marrëveshjeve të kaluara të dialogut të lehtësuara nga BE-ja, çështje, të cilat ishin në atë kohë në diskutim si pjesë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, projekteve të investimeve të financuara nga BE-ja dhe një sërë pozicionesh të politikës së jashtme të SHBA-ve”, ka thënë Lajçak, për Telegrafin.
“Në lidhje me pikën e fundit, më lejoni të kujtoj se çdo angazhim i bërë ndaj palëve të treta, gjithashtu duhet të jetë plotësisht në përputhje me angazhimet që Serbia dhe Kosova kanë bërë në lidhje me përafrimin e legjislacionit të tyre me acquis të BE-së, rregullat dhe ligjet tona si dhe kontributin e tyre në stabilitetin rajonal”, ka thënë ai.
Lajcçk tha se pret që të dy vendet të veprojnë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e tyre evropiane të mos minohet.” Kjo veçanërisht i referohet mundësisë për të pasur ambasadat e tyre në Jerusalem. BE-ja ka qenë shumë e qartë; çdo hap diplomatik që mund të vërë në pikëpyetje qëndrimin e përbashkët të BE-së mbi Jerusalemin janë çështje serioze shqetësimi dhe keqardhjeje”.
“Në kontekstin e dokumenteve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, më lejoni të them se BE-ja është dhe mbetet investitori, donatori dhe partneri më i madh tregtar i rajonit dhe një pako e re investimesh sapo u njoftua nga Komisioneri Varhelyi më 6 tetor”, tha Lajçak. /Telegrafi/