Site icon Telegrafi

Lajçak e Bislimi dakordohen për hapat e mëtejmë në dialog

I deleguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se sot gjatë ditës ka zhvilluar një video konferencë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Lajçak, përmes një postimi në platformën “X”, ka thënë se me Bislimin janë dakorduar për hapat e mëtejshëm në çështjet e dialogut.

“Sot pata një video-konferencë të detajuar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimin, në një listë të çështjeve të dialogut. U dakorduam për vazhdimin e dialogut dhe hapat e mëtejshëm”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

Edhe Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, ka theksuar sot rëndësinë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në një deklaratë para fillimit të Samitit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lexo po ashtu Borell: Edhe pse ngadalë, Kosova dhe Serbia po lëvizin, kjo është pozitive

Duke vlerësuar të kaluarën e procesit si të mbushur me sfida por dhe me momente inkurajuese, Borell pranoi se përkundër vështirësive të mëparshme, ka tërhequr vëmendje tek marrëveshja e re në sektorin e energjisë dhe avancimin e arritur në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe zbatimin e saj.

Shefi i diplomacisë evropiane shprehu optimizëm lidhur me zhvillimet e fundit, duke nënvizuar se palët, pavarësisht nga progresi i ngadaltë, janë duke bërë hapa drejt zgjidhjes.

Ai tha se është detyrë e BE-së të ndihmojë dhe inkurajojë palët që të vazhdojnë në këtë drejtim. /Telegrafi/

Exit mobile version