Emisari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka përmbledhur dy javët e fundit si një periudhë intensive diplomatike, duke u përqendruar në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pas një takimi me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, në Prishtinë, Lajçak udhëtoi drejt Beogradit për t’u përgatitur për takimin e kryenegociatorëve.
“Pavarësisht se nuk arritëm të dakordohemi për agjendën e një takimi trepalësh, ne diskutuam çështje politike dhe teknike dhe shënuam hapa të rëndësishëm për të udhëhequr diskutimet tona të ardhshme,” shkroi Lajçak në një postim në Facebook.
Ai gjithashtu vizitoi Parisin ku u takua me kolegë të Ministrisë së Jashtme të Francës dhe këshilltarin diplomatik të presidentit Macron, Emmanuel Bonne.
Më pas, Lajçak vizitoi Hungarinë dhe mori pjesë në një panel mbi perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ai përfundoi këtë periudhë të ngarkuar duke u përgatitur për javën e diplomacisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York./Telegrafi/