Site icon Telegrafi

Lajçak: Dialogu të vendoset mbi politikat ditore partiake

I dërguari special i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për takimin e së premtes me krerët e opozitës parlamentare.

Në një shkrim në Twitter, Lajçak thotë se ka shprehur pritshmëri të qarta për ta vendosur dialogun mbi politikën e përditshme partiake.

“Në ditën e dytë në Kosovë, u takova me liderët e partive opozitare për të shpjeguar marrëveshjen, si dhe hapat e ardhshëm. Gjithashtu shpreha pritshmëri të qarta nga bashkësia ndërkombëtare për ta vendosur dialogun mbi politikën e përditshme partiake, veçanërisht në këtë moment kritik”, shkroi Lajçak.

Tutje tha se ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe për t’i informuar për dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet dhe vlerësimet e tyre për zhvillimet në veri të Kosovës.

Lexo po ashtu Krasniqi nuk ndryshon qëndrim as pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja e 27 shkurtit e pamjaftueshme

Po ashtu, Lajçak foli për takimin me minsitrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Dhe më në fund programi im i ngarkuar më lejoi të takohem me Ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla. Puna jonë është e mbuluar në shumë fusha. Kjo është arsyeja pse nënvizova rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë”, shkroi Lajçak.

Lajçak ka përmendur edhe 15 modele evropiane të cilat thotë se ia ka prezantuar Kurtit lidhur me Asociacionin.

Lexo po ashtu Zëdhënësi i Qeverisë: Lajçak ka ndarë me neve 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, jo të asociacioneve

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi të premten se Lajçak, ka ofruar 15 modele evropiane për rregullimin e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.

Në një prononcim për Telegrafin, Kryeziu tha se do të analizojnë veçoritë, karakteristikat si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve.

Lexo po ashtu Lajçak optimist se opozita nuk do ta kundërshtojë Propozimin evropian

Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë, bëhet fjalë për modele që rregullojnë të drejtat e minoriteteve dhe jo për asociacione.

“Lajçak ka ndarë me neve 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, jo të asociacioneve. Ne do të analizojmë veçoritë dhe karakteristika si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve”, u shpreh Kryeziu.

Ndryshe, vizita e Lajçakut në Kosovë, erdhi disa një javë para takimit të Kurtit me Vuçiq në Ohër./Telegrafi/

Exit mobile version