Site icon Telegrafi

Lajçak: Bashkëpunimi me SHBA-të, shumë i rëndësishëm për një marrëveshje Kosovë-Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë shpreson në një bashkërendim më të mirë mes Brukselit dhe Uashingtonit lidhur me Ballkanin, me ardhjen në fuqi të administratës së re amerikane.

“Me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe administratës, ne presim që të kthehemi në pozicionin shumë të mirë të bashkëpunimit më të afërt të mundshëm me partnerët tanë të SH.B.A.-së në të mirë të vendeve dhe popujve të rajonit”, tha Miroslav Lajçak në një diskutim virtual organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare e Universitetit Johns Hopkins.

Ai tha se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për arritjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se deri tani kishte pyetje në rajon lidhur me ato që dukeshin si qëndrime të ndryshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Administrata e presidentit Donald Trump kishte nxitur dy palët për një zgjidhje që të realizohej përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik. Takimi me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë në shtator ishte i nivelit më të lartë që të dyja palët kanë pasur ndonjëherë në Washington, por analistët vunë në dukje se ai dukej i pakoordinuar me Bashkimin Evropian.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden, ka shprehur një qëndrim më tradicional diplomatik në lidhje me dy vendet.

Lajçak tha se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të kontribuonte pa dyshim në stabilizimin e rajonit “sepse së pari ka serbë dhe shqiptarë që jetojnë në çdo vend të rajonit dhe së dyti, natyrisht cilindo model të zbatojmë në këtë dialog dypalësh, ai mund të jetë me interes për fqinjët”.

Ai tha se çdo marrëveshje që mund të arrihet mes palëve duhet “të jetë e bazuar në parimet dhe vlerat evropiane sepse përveç normalizimit të marrëdhënieve, qëllimi po aq i rëndësishëm është t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian”.

Lajçak tha se optimizmi i tij për një marrëveshje të mundshme mbështetet tek angazhimi i të dyja palëve dhe tek përfitimet që do të sillte ajo.

“Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dialogu është çelësi për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Nuk ka asnjë alternativë përveç dialogut, kështu që kjo do të thotë që ata të dy duan të ardhmen në BE dhe për këtë arsye e dinë se kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, u shpreh Lajçak.

I dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet e pranoi se të dyja palët e interpretojnë ndryshe normalizimin me Kosovën që e ka bërë të qartë që do njohjen e plotë dhe Serbia që pyet se çfarë do të marrë në këmbim.

“Nuk është e lehtë sepse kemi të bëjmë me çështje të shtetësisë, identitetit dhe askush nuk dëshiron të dalë si humbës, por interesi ynë nuk është të kemi një fitues dhe një humbës. Interesi ynë është që të gjithë të fitojnë në këtë proces”, theksoi Lajçak.

Megjithatë ai qartëson se nuk është dakord me filozofinë që për çfarëdo që palët bien dakord, “ne duhet ta pranojmë sepse ne (BE) jemi gjithashtu mbrojtësi i vlerave Evropiane”.

“Ne duhet të sigurohemi që rezultati përfundimtar do t’i afrojë ata me Bashkimin Evropian dhe jo t’i çojë më larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se produkti përfundimtar, marrëveshja përfundimtare do të jetë e pranueshme për vendet anëtare të BE-së dhe gjithashtu për vendet e rajonit”, tha ai.

Lajçak shtoi se një alternativë që nuk do t’i plotësonte këto parametra sipas tij ishte ideja e shkëmbimit të territoreve.

“Ne jemi këtu për të qenë pjesë e një zgjidhjeje evropiane, një zgjidhje për shekullin 21 dhe jo zgjidhja që bazohet në shekullin e 19-të”.

Por ai shtoi se në të njëjtën kohë ndërmjetësit nuk mund ta dëshirojnë marrëveshjen më shumë sesa e dëshirojnë palët dhe se palët duhet ta duan normalizimin që ai të arrihet dhe ai mendon se në këtë moment të dyja palët e duan një gjë të tillë./VOA/

Exit mobile version