Telegrafi

“La La Land” me rekord në Golden Globes (Foto/Video)

“La La Land” ka paralajmëruar se do të jetë një konkurrent i fortë në ceremoninë e Academy Awards, pas një mbrëmjeje rekorde në Golden Globes.

Filmi me Ryan Gosling dhe Emma Stone në rolet kryesore, fitoi shtatë çmime, duke përfshirë çmimet e aktorëve më të mirë dhe atë të regjisorit më të mirë, Damien Chazelle.

Ryan Gosling, Emma Stone dhe Damien Chazelle në edicionin e 74 të Golden Globes në Beverly Hills të Kalifornisë (Getty Images)

Ndërkaq, çmimin për filmin më të mirë dramë e mori “Moonlight”, njofton Telegrafi.

Befasia e mbrëmjes ishte Aaron Taylor-Johnson, i cili triumfoi përballë favoritit Mahershala Ali, për çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor.

Aaron Taylor-Johnson duke marrë çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor për “Nocturnal Animals” (Getty Images)

Ndër befasitë ishte edhe çmimi i aktores Isabelle Huppert për rolin në filmin “Elle”, i cili fitoi edhe çmimin e filmit të huaj më të mirë.

Ishte një mbrëmje e suksesshme për yjet britanikë, nga të cilët Tom Hiddleston, Olivia Colman, Hugh Laurie e Claire Foy, u nderuan me çmime.

Një nga momentet kyçe të mbrëmjes ishte kritika e Meryl Streep kundrejt presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump. /Telegrafi/