Site icon Telegrafi

Ky vit ‘praktikisht sigurt’ do të jetë më i ngrohti në 125,000 vjet – thonë shkencëtarët e BE-së

Ky vit është “praktikisht sigurt” se do të jetë më i ngrohti në 125,000 vjet, thanë shkencëtarët e Bashkimit Evropian të mërkurën, pasi të dhënat treguan se muaji i kaluar ishte tetori më i nxehtë në botë në atë periudhë.

Muaji i kaluar ka thyer rekordin e temperaturës së mëparshme të tetorit, nga viti 2019, me një diferencë masive, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të BE-së Copernicus (C3S), shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Rekordi u thye me 0.4 gradë Celsius, që është një diferencë e madhe”, tha zëvendësdrejtoresha e C3S, Samantha Burgess, e cila e përshkroi anomalinë e temperaturës në tetor si “shumë ekstreme”.

Nxehtësia thuhet se është rezultat i emetimeve të vazhdueshme të gazeve serrë nga aktiviteti njerëzor, i kombinuar me shfaqjen këtë vit të modelit të motit El Nino, i cili ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor.

Në nivel global, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe në tetor ishte 1.7 gradë Celsius më e ngrohtë se i njëjti muaj në 1850-1900, të cilën Copernicus e përcakton si periudhën para-industriale.

Me “tetorin rekord” do të thotë se viti 2023 tani është “praktikisht i sigurt” se do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar, tha C3S në një deklaratë.

Rekordi i mëparshëm ishte viti 2016, një tjetër vit i El Nino.

Të dhënat afatgjata nga paneli i shkencës klimatike i OKB-së IPCC përfshijnë lexime nga burime të tilla si bërthamat e akullit, unazat e pemëve dhe depozitat e koraleve.

E vetmja herë tjetër para tetorit që një muaj ka thyer rekordin e temperaturës me një diferencë kaq të madhe ishte në shtator 2023.

Ndryshimet klimatike po nxisin ekstreme gjithnjë e më shkatërruese. Këtë vit, kemi parë përmbytje që vranë mijëra njerëz në Libi, valë të mëdha të nxehtit në Amerikën e Jugut dhe sezonin më të keq të zjarreve në Kanada.

Dhe pavarësisht se vendet vendosin objektiva gjithnjë e më ambicioze për të ulur gradualisht emetimet, deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Emetimet globale të CO2 arritën një rekord të lartë në vitin 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version