Telegrafi

Kuvendi vendos sot për imunitetin e Sali Berishës, pritet protestë

Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë këtë të enjte për heqjen ose jo të imunitetit të Sali Berishës pasi Këshilli i Mandateve miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për dhënien e autorizimit për arrest me burg ose arrest shtëpie për ish-kryeministrit.

Kujtojmë se dje Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e firmosur nga 30 deputetë opozitarë për pezullimin e masave ndaj Berishës.

Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, arrest në shtëpi apo arrest në burg, i cili është nën hetim për aferën “Partizani”. Një ditë më parë, në Kuvend u depozituan edhe dy raportet e përpiluara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve.

Lexo po ashtu Kërkesa e SPAK, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë arrestimit të Sali Berishës

Të dy raportet, si i mazhorancës dhe opozitës i rekomandojnë Kuvendit dhënien e autorizimit ndaj kërkesës së Prokurorisë së Posaçme që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe më pas arrestimin e tij. Si PS ashtu edhe PD argumentojnë se akuzat ndaj Berishës nuk janë politike.

Nga ana tjetër, ndërsa Kuvendi pritet të votojë për heqjen e imunitetit të ish kryeministrit, opozita ka paralajmëruar protestë. Nën moton “O sot, o Kurrë”, Berisha theksoi se kjo protestë, e cila është parashikuar të nisë në orën 09:30 do të mbahet pasi qeveria po ndërmerr vendime antikushtetuese.

Kujtojmë që SPAK iu drejtuar Kuvendit me kërkesën për dhënien e autorizimit për shtrëngimin e masës ndaj Sali Berishës në arrest, më 12 dhjetor pasi ish-kryeministri nuk respektoi masën e parë, atë të detyrimit për paraqitje. /Telegrafi/