Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme, për raportimin e kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti lidhur me takimet e delegacionit të Kosovës në Uashington dhe marrëveshjen e nënshkruar.
Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar të hënën, ndërkaq PDK-ja gjatë ditës së sotme do të kontaktojë edhe me partitë e tjera për mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë për Telegrafin se për shkak të rëndësisë së temave të cilat pritet të diskutohen, ata insistojnë që sa më shpejt të mbahet seanca e jashtëzakonshme.
“PDK-ja ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme, jemi të interesuar që sa më shpejt të mbahet seanca për shkak të rëndësisë së madhe të temave dhe ne i kemi nënshkrimet e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, tha Hamza.
Hamza tha se gjatë ditës së sotme do të kontaktojnë partitë e tjera parlamentare për të diskutuar për mbledhjen e nënshkrimeve për këtë seancë.
“Sigurisht, do të bisedojmë edhe me partitë e tjera, që të arrijmë numrin e mjaftueshëm të nënshkrimeve, sepse për të thirrur seancë të jashtëzakonshme duhet 40 nënshkrime. Gjatë ditës ne do të punojmë edhe me partitë e tjera edhe do ta shohim nëse mund t’i mbledhim nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme”, tha Hamza për Telegrafin.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës thirrje që kryeministri i vendit, Avdullah Hoti të raportojë për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Megjithëse partitë opozitare po kërkojnë seancë, Kuvendi i Kosovës është në pushim, deri më datë 15 shtator, që nga 14 gushti kur e mbajtën seancën e fundit.
Ndryshe, PDK-ja të hënën gjatë ditës ka mbajtur mbledhje të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar ku kanë diskutuar për dialogun e zhvilluar në Uashington e Bruksel.
Sipas komunikatës së lëshuar për media, Partia Demokratike e Kosovës i konsideron zhgënjyese zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi.
“Pritjet e mëdha qytetare dhe të PDK-së për një marrëveshje finale që garanton njohjen e ndërsjellë, janë kthyer në një proces pa afat dhe me kompromise nga ana e delegacionit shtetëror të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në takimin e përbashkët të kryesisë dhe grupit parlamentar të PDK-së, është konstatuar e rrezikshme rrëshqitja e delegacionit shtetëror nga bisedimet për marrëveshje finale e të obligueshme ligjore, në biseda për tema me karakter teknik.
“PDK kërkon nga delegacioni shtetëror i Kosovës që të respektohet Kushtetuta e vendit. Bisedimet për territore dhe pasurinë kombëtare të Kosovës, janë anti-kushtetuese dhe kundër interesave strategjike të vendit. PDK e konsideron të pa dobishëm procesin e mini-Shengenit të pranuar nga delegacioni shtetëror i Kosovës. PDK është për Shengen, por, jo për mini-Shengen”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/