Site icon Telegrafi

Kuvendi diskuton për koeficientin e shërbyesve korrektues

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri që të mbrojë të drejtat e shërbyesve korrektues.

Sipas saj, ministri i drejtësisë nuk duhet të merret me prokurorët dhe gjyqtarët, sepse me ata merret Kuvendi i Kosovës, por ai duhet të kërkoi votën e deputetëve për  Shërbimin Korrektues.

Popozuesja e amendamentit 65, Albulena Haxhiu tha se udhëheqësi i pavijonit në Shërbimin Korrektues të kenë koeficient 3, pra të rangohen sikur policia, mbikëqyrësi i lartë në Shërbimin Korrektues me koeficient 2.75, mbikëqyrësi i lartë në Shërbim Korrektues me koeficient 2.4, oficerë me përvojë pune mbi një vit 2.2 koeficientin, oficer korrektues me përvojë punë 1 deri në 10 me koeficient 2 dhe oficerë kadet viti i parë i punësimit koeficient 1.9.

Ajo kërkoi mbështetje, sepse siç tha ajo, kërkesat vijnë nga sindikata, meqë gjendja në shërbimin korrektues është e rëndë.

“Në këtë pikë kërkoj që edhe ministri i Drejtësisë, që në përshkrim të detyrave të tij e ka Shërbimin Korrektues, nuk ke bërë asgjë për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Andaj e ke obligim me dalë me kërku votën e deputetëve të Kuvendit për shërbimin Korrektues të Kosovës, lej prokurorët dhe gjyqtarët sepse me ata merret Kuvendi i Kosovës, unë e kuptoj pse merresh me ata sepse e ke në interes me u marrë për shkak se me të amnistu ndonjëherë ty ose njerëzit e tu”, tha ajo.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, tha se e kanë bërë maksimumin për shërbyesit korrektues.

“Edhe pagat në shërbimin Korrektues edhe të prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë qenë në kuadër të buxhetit të parapri, pavarësisht tendencës që kishim prej komisionit për t’i ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ky ka qenë një kompromis i joni me ministrinë e financave, ky propozim qysh ka ardh prej Qeverisë, këtu është bërë maksimumi. Ne e kemi rritë numrin e shërbyesve korrektues që nuk është rritë asnjëherë, për 120 ,dhe jemi duke i rekrutuar për 80 gjatë vitit të ardhshëm, kjo ka qenë maksimumi që kemi arrit me bo për Shërbimin Korrektues të Kosovës”, tha ai.

E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se duhet të saktësohet koeficienti për shërbyesit korrektues.

“Mendoj që nuk është aq e parëndësishme Shërbimi korrektues i Kosovës, faktikisht nëse atje është rregulluar në pjesën përmbajtjesore të ligjit, janë hequr nga shërbyes civil dhe kanë status të veçantë, mendoj që duhet të saktësohet saktë koeficienti dhe grada e tyre, është e domosdoshme”, tha ai

Megjithatë, propozimi i deputetes Albulena Haxhiu, pa përkrahjen e komisionit përkatës, nuk gjeti përkrahjen e deputetëve që të marrë votat e mjaftueshme.

Ndryshe, Kosova është kritikuar për mos-përkrahje për Shërbimin Korrektues edhe në raportin e progresit.

Exit mobile version