Gjykata Kushtetuese ka ndërprerë shqyrtimin e kërkesës së Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e veprimeve të Presidentit Hashim Thaçi në rastin e “nxitjes” së deputetit Haxh Shala për votimin e Qeverisë Hoti në qershor të vitit 2020.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se në seancën e mbajtur më 10.02.2021 ky organ ka shqyrtuar kërkesën e parashtrueses Fitore Pacolli dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka propozuar që të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve.
“Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së, “vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës më 3 qershor 2020 në shtëpinë/banesën private të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës“. Në kërkesën e tyre, parashtruesit pretendonin që duke përdorur mekanizma jokushtetues, Presidenti ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës, në veçanti të nenit 83 [Statusi i Presidentit], të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 14, të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] në lidhje me paragrafin 3, të nenit 7 [Vlerat], të nenit 65 [Kompetenca e Kuvendit], paragrafi 8, dhe të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës] të Kushtetutës së Republikës. Parashtruesit gjithashtu kërkuan që Gjykata të mbajë një seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, transmeton Telegrafi.
Më tej në vendim thuhet se “Kërkesa bazohej në paragrafin 6 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 44 [Saktësimi i kërkesës] dhe 45 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 75 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.6 të Kushtetutës dhe me nenet 44 dhe 45 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese”.
“Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafin 6 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 dhe 75.5 të Rregullores së punës, të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje më 01.07.2020 e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të Presidentit për siç thuhet në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë Hoti.
Në njoftim e VV-së thuhej se jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. /Telegrafi/