Site icon Telegrafi

Kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Podujevës, flasin kandidatët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi do të mbahen më 29 nëntor 2020.

E për kryetar të komunës së Podujevës në garë janë tre kandidatë, të cilët janë shprehur të gatshëm për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari i cili aktualisht është ushtrues detyre i kryetarit të Podujevës, ka thënë për Telegrafin se beson që do t’i fitojnë këto zgjedhje si ato të mëparshmet.

“Ne kemi qenë dhe jemi të përgatitur për zgjedhje, besojmë dhe për çdo ditë punojmë që zgjedhjet t’i fitojmë sikur që 17 palë zgjedhje që i kemi fituar si subjekt politik më i organizuar dhe i pëlqyer për qytetarët llapjan”, ka thënë Rudari.

Kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari

Në anën tjetër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka thënë se ai ka qenë i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve që nga marsi kur u anuluan.

“Unë si kandidat dhe subjekti politik të cilit i takoj jemi të gatshëm për zgjedhje që nga marsi që u anuluan, ne kemi dorëzuar një kërkesë në KQZ në muajin qershor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, janë organizuar aksione simbolike, konferenca për media etj. Jemi shumë të gatshëm dhe jemi të bindur që do të fitojmë bindshëm, duke pas parasysh zhgënjimin qytetar ndaj qeverisjes lokale në Komunën e Podujevës dhe vullnetin e qytetarëve për ta sjellë ndryshim më Lëvizjen në qeverisje në secilin nivel”, ka thënë Bulliqi.

Kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi

Bulliqi ka shtuar se nuk i sheh si shumë serioz kudër kandidatët e tij.

“Kandidatët me të cilët jam në garë nuk i shoh shumë serioz dhe që mund të më sfidojnë mua në këtë garë, tash me pasi qe u hap rruga për zgjedhje shpresojmë e presim vullnetin qytetar të deklaruar nga të cilët buron legaliteti dhe legjitimiteti”, tha Bulliqi për Telegrafin.

Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se fitorja e tij dhe subjektit nga ai vjen nuk ka dilema. Sipas tij qytetarët e Podujevës janë të lodhur nga një qeverisje e keqe tash e 20 vjet.

“Ne kemi qenë të gatshëm edhe në mars, ku rruga drejt fitores na u ndërpre për shkak të pandemisë COVID-19, por tani më fitorja jonë nuk ka dilema. Llapjanët janë të lodhur nga një qeverisje e keqe 20 vjeçare e cila nuk ka bërë asgjë për ta. Sot, një ndër komunat më të mëdha në Kosovë, jeton më së keqi. Papunësia mbetet e madhe dhe të rinjtë po largohen nga komuna e jonë e pa perspektivë. Pa shkolla adekuate dhe vetëm një çerdhe, që i ka vështirësuar jetën qytetarëve”, ka thënë Fetahu, për Telegrafin.

Kandidati i PDK-së, Naim Fetahu

Ai ka shtuar se llapjanët nuk janë për një qeverisje të keqe e as për një qeverisje që tentoi t’i prishë marrëdhëniet me SHBA-të.

“Llapjanët nuk janë më për këtë qeverisje e as për një tjetër që tentoi të prishë marrëdhëniet me aleatin tonë më të madh, SHBA-të. Prandaj, fitorja ime si Naim, nuk është fitore vetëm e PDK-së si parti, por do të jetë fitore e gjithë qytetarëve të Podujevës”, u shpreh Fetahu.

Lexo po ashtu KQZ vendos, pesë ditë fushatë zgjedhore në Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot, ka caktuar pesë ditë fushat zgjedhore e cila do të zgjasë nga data 23 deri më 27 nëntor 2020.

Kujtojmë se komuna e Podujevës kishte mbetur pa kryetar, pasi që Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje pas emërimit të tij si ministër i Punëve të Brendshëm. Zgjedhjet në këtë komunë ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të pandemisë COVID-19, presidenti Thaçi kishte marrë vendim për t’i shtyrë ato. /Telegrafi/

Exit mobile version