Site icon Telegrafi

Kush sa pret për t’u testuar për COVID-19?

Fatos Vokshi, qytetar nga Prishtina, të hënën, për më shumë se dy orë, ka qëndruar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për të dëshmuar se ka simptoma të coronavirusit, në mënyrë që të testohet. Por, kjo gjë iu pamundësua, pasi personeli mjekësor nuk e testoi atë.

Sipas Vokshit, pacientët që duhet ta bëjnë testin për COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi, caktohen në më​nyrë​ pë​rzgjedhë​se.

“Sot kam qenë dëshmitar. Do të thotë, shumë keq është nëse vjen puna të trajtohesh nga klinikat. Kjo është eksperienca ime e sotme, unë prita dy orë dhe nuk kreva punë, e i shikova pacientët e tjerë që me të njohshëm, do të thotë në mënyrë selektive, pranoheshin dhe i bënin testet”, tha Vokshi.

Pasi në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare nuk i është mundësuar marrja e mostrave për testim me metodën PCR, Vokshi i është drejtuar Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare, për ta bërë testin serologjik për coronavirus.

Testi virologjik, me metodën PCR, përcakton nëse virusi është aktiv, kurse testi serologjik tregon nëse personi ka qenë i infektuar me coronavirus.

Edhe një qytetare tjetër nga Prishtina, e cila priste në radhë pranë Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare, për të caktuar termin për ta bërë testin serologjik, tha se është e pakuptimtë se si mekanizmat përkatës nuk po veprojnë në mënyrën e duhur karshi personave që kanë simptoma të coronavirusit të ri.

“Ka gati një javë që jam me simptoma. Simptomat janë 100 për qind që është COVID-19, të paktën në bazë të asaj çka unë kam lexuar, dhe nuk po më duket normale të shkoj në një rreth ku ndoshta unë dyshoj se e kam (virusin) dhe ta infektoj dikë tjetër, duke u nisur nga vendi i punës, qytetarët, personat e familjes më në moshë”, tha kjo qytetare, e cila nuk deshi që të prezantohet.

Zemaj për numrin e testimeve: Ky është maksimumi

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha për Radion Evropa e Lirë se sa i takon testimeve për COVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës aktualisht është duke e bërë maksimumin e mundshëm.

“Ky është maksimumi që mund të bëjë IKSHPK-ja, në bazë të rregullave të protokolleve që janë të përcaktuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Faktikisht, numri i testeve është sipas nevojës dhe rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë. Është fakt tjetër që qytetarët kanë edhe kërkesa të tjera, kanë edhe shqetësime dhe kanë nevojë për testime”, tha Zemaj.

Momentalisht në IKSHPK bëhen prej 400 deri në 500 testime në ditë.

Ministri Zemaj tha se në ditët në vijim mund të ketë rritje të numrit të testimeve, por, sipas tij, kjo mund të bëhet nëse përfundon me kohë puna me laboratorët rajonalë dhe pajisja e tyre me aparaturë. Sipas tij, në këtë drejtim po punohet edhe për licencimin e laboratorëve privatë.

“Ne kemi filluar me procesin e ngritjes edhe të gjashtë laboratorëve në qendrat rajonale. Është në proces edhe pjesa tjetër që lidhet me licencimin e institucioneve private për të kryer testimet e nevojshme”, tha Zemaj.

Ministria e Shëndetësisë, deri tani, nuk ka licencuar asnjë institucion tjetër shëndetësor për kryerjen e testeve për coronavirus.

Zemaj tha se kjo çështje është ende në proces dhe se bordi i themeluar është duke u marrë me të.

“Do të fillojmë me ata që i plotësojnë kushtet dhe kriteret dhe që garantojnë mbikëqyrje dhe lidhshmëri me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që të ketë edhe testime nga sektori privat”, tha Zemaj.

Tetëdhjetë laboratorë aplikojnë për leje

Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se 80 institucione private shëndetësore kanë aplikuar për t’u licencuar, që të kryejnë teste për koronavirus, kryesisht serologjike, ndërsa, nga java tjetër, pritet të nisë shqyrtimi i këtyre aplikacioneve.

Spitalet rajonale filluan diagnostikimin e rasteve me koronavirus

Në mungesë të testeve nga IKSHPK-ja, në spitalet rajonale të Kosovës ka filluar diagnostikimi i rasteve me koronavirus.

Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj, tha për Radion Evropa e Lirë se një vlerësim i tillë vjen nga përvoja me pacientë dhe gjendja e tyre. Ai, madje, theksoi se kjo është ‘diagnozë pune’.

“Një qëndrim është se të gjitha rastet e dyshimta, të cilat kanë elemente të sëmundjes COVID-19, dhe derisa nuk vërtetohet e kundërta, trajtohen si COVID-19. Kjo e ka qëllimin që të ketë një qasje më të kujdesshme dhe kjo është diagnozë e punës, diagnozë klinike”, tha Dreshaj, duke shtuar se ky është edhe rekomandim i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ministri Zemaj tha se në spitalet rajonale po punohet në bazë të protokolleve dhe rekomandimeve të profesionisteve shëndetësorë.

“Ajo që kemi bërë ne, është decentralizimi i shërbimeve në rajon dhe fuqizimi i këtyre shërbimeve, pra për të ofruar shërbim për rastet me COVID-19. Kjo është mundësia. Zgjerimi i kapaciteteve është i domosdoshëm, por duhet të ketë besim në profesionistë. Ky është protokolli çfarë ofrohet jo vetëm këtu, por në të gjithë boten”, tha Zemaj.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë pandemisë së koronavirusit, derisa ka paralajmëruar se edhe hapësira me shtretër për personat e sëmurë po zvogëlohet.

Në Kosovë, të hënën u konfirmuan 276 raste të reja me koronavirus nga testimi i 404 mostrave. Në 24 orët e fundit po ashtu u regjistruan tetë viktima nga koronavirusi. Numri total i viktimave aktualisht është 185. /Rel/

 

 

 

Exit mobile version