Ushtarët rusë që dezertuan nga ushtria kanë marrë armët dhe tani po luftojnë kundër vendit të tyre dhe kanë ndihmuar trupat ukrainase, raporton një artikull në New York Times.
“Legjioni i Rusisë së Lirë”, siç njihet grupi, aktualisht janë të përqendruar në qytetin lindor Bakhmut – ku luftimet janë intensive – dhe mbikëqyren nga oficerët ukrainas, përcjell Telegrafi.
Disa prej tyre kishin jetuar në Ukrainë kur Rusia filloi agresionin më 24 shkurt, ndërsa të tjerët kaluan në Ukrainë nga Rusia pas fillimit të luftës.
Ata kanë marrë armët kundër Rusisë për një sërë arsyesh: një ndjenjë zemërimi moral ndaj pushtimit të vendit të tyre ose për shkak të një mospëlqimi të thellë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Dhe ata kanë fituar mjaftueshëm besim nga komandantët ukrainas për të zënë vendin e tyre mes forcave që luftojnë me egërsi ushtrinë ruse.
“Një burrë i vërtetë rus nuk përfshihet në një luftë kaq agresive, nuk do të përdhunojë fëmijë, nuk do të vrasë gra dhe të moshuar”, citohet të ketë thënë një luftëtar rus me shenjën ushtarake Cezar, duke shënuar mizoritë e kryera nga ushtarët rusë që e motivuan atë të largohet nga vendlindja e tij Shën Petersburg dhe lufton për Ukrainën.
Ndërsa duke folur për vendimin e tij për të ndihmuar Ukrainën, një ushtar tjetër, i cili tha se ishte nën 20 vjeç, i tha New York Times: “Ne nuk kemi ardhur këtu për të dëshmuar asgjë”.
“Ne kemi ardhur këtu për të ndihmuar Ukrainën të arrijë tërheqjen e plotë të forcave ruse nga territori ukrainas dhe de-putinizimin e Rusisë në të ardhmen”.
Ushtari tha se ai u regjistrua për t’u bashkuar me luftën pasi Rusia filloi agresionin, citon shkrimin në fjalë SkyNews, përcjell Telegrafi.
“Në një moshë kaq të re, është pak herët për mua të flas për opinionet e mia politike dhe botëkuptimin, sepse këto sapo formohen tani”, shtoi ai.
“Por kur vendin tuaj e ka pushtuar një njeri i keq, ju duhet t’i merrni gjërat në duart tuaja”.
Njësia ushtarake fillimisht nuk u lejua të bashkohej me ushtarët ukrainas për shkak të një ligji në Ukrainë, por në gusht legjislacioni u finalizua për të lejuar legjionin të bashkohej ligjërisht.
Dhe në fillim të këtij muaji, legjioni u njoh si një organizatë terroriste nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë. /Telegrafi/