Site icon Telegrafi

Kush është ‘Lepuri’ i “O Sa Mirë”? Kapllan Emra, futbollisti që u shndërrua në aktor flet për jetën dhe karrierën e tij

Seriali “O Sa Mirë” vazhdon të sjellë nga java në javë episode të reja dhe atraktive për shikuesit.

Personazhet e këtij seriali janë tashmë të gjithë të afirmuar për publikun, dhe gjithmonë priten me entuziazëm nga ndjekësit e rregullt të serialit.

Një personazh mjaft i spikatur kohëve të fundit është ‘Lepuri’, që njihet në serial si miku i ngushtë i personazhit tjetër, ‘Citi’.

Emri i tij i vërtetë është Kapllan Emra, dhe me prejardhje është nga Prishtina. Ai në një bisedë për Telegrafin ka rrëfyer së fundmi eksperiencën e tij në serialin “O Sa Mirë”, eksperiencë të cilën e cilëson si unike.

“Ftesën për të qenë pjesë e këtij seriali e kam marrë nga Ard Islami, të cilit i jam mjaft falënderues për mundësinë. Ideja për krijimin e një personazhi të tillë si ‘Lepuri’ ka lindur nga skenaristi Ard Islami, një rol shumë i mirë në të cilin e kam gjetur veten dhe jam përshtatur shumë. Mundohem që gjithnjë të jap maksimumin”, ka thënë aktori Kapllan Emra.

Aktori Kapllan Emra, i njohur për shikuesit e serialit “O Sa Mirë” si personazhi ‘Lepuri’

Një rol mjaft negativ si ai i ‘Lepurit’ ka reflektuar mjaft shumë te publiku. Megjithatë aktori për Telegrafin tregon se nuk roli i tij nuk ka të bëjë fare me personalitetin në jetën private.

“Jo, Kapllani dallon tërësisht prej ‘Lepurit’ në jetën reale. Ndoshta publiku nuk e din qe kam një talent tjetër që di të emitoj disa fytyra publike, pastaj kam qenë futbollist profesionalist për 11 vjet, ama aktrimin gjithmonë ma ka dashur zemra, bashkë me futbollin, për mua janë dy gjëra të pa ndashme”, tregon më tej Emra.

E shohim vazhdimisht me ‘Citin’ në serial, e një raport të mirë dyshja në fjalë e ruajnë edhen në jetën private. Në vazhdimin e bisedës, ai tregon se me cilët prej kolegëve kakrijuar më shumë afrimitet.

“Me të gjithë kolegët kam raporte shumë të mira. Me Edonin (‘Citin) kemi miqësi tepër të mirë edhe në jetën private. Dalim shpesh së bashku, ndoshta jo çdo ditë, por mjaftueshëm, Edoni është një djalë shumë i shoqërueshëm”.

Lexo po ashtu Citi 'problematik' i serialit "O Sa Mirë": Gjithçka që nuk dini për jetën time jashtë ekranit

Duke e parë çdo të diele në ekran, shikuesit e emisionti kanë zgjuar interes të dinë edhe detaje nga jeta private. Për Telegrafin, Kapllani shpalosi pak nga jeta e tij.

“Ditët e mia janë zakonshme. Hobi kam marrjen me aktivitete të ndryshme sportive. Sa i përket statusit tim personal, mund të them që jam ‘single’ kur nuk jam vetëm”, thotë me të qeshura aktori.

I njëjti në përfundimin e bisedës për Telegrafin, ju dërgon një përshëndetje dhe falënderim të gjithë atyre që e duan rolin e tij dhe i japin vazhdimisht përkrahje.

“Do doja që t’i falënderoja të gjithë fansat për përkrahjen e madhe që më japin, dhe premtoj që ‘Lepuri’ do vazhdojë të japë maksimumin e tij prej vetes”, përfundon aktori Kapllan Emra. /Telegrafi/

Exit mobile version