Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian për Kosovën në raportin që do të miratoj për Kosovën shumicën e pikave ka kritikuar Qeverinë e Kosovës.
Kritikat e Këshillit të Ministrave janë veçanërisht të ashpra për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për punësimet e njerëzve me precedentë penalë (dhe të dënuarit për krime lufte), për mos themelimin e Asociacionit, për hapjen e Urës së Mitrovicës, dhe për mënyrën si po trajtohet Gjykata Speciale.
Lidhur me liberalizimin e vizave, Këshilli i Ministrave të BE-së ka thënë se ende është në shqyrtim vendimi, duke kërkuar që lidhur me këtë të përmbyllet njëherë marrëveshja Kosovë-Serbi.
Po ashtu ka thënë se Qeveria duhet t’i bëjë veprimet dhe t’i adresoj problemet në një mënyrë tjetër nga kjo që është duke shkuar.
Artan Murati nga KDI ka thënë se sinjalet e Këshillit të Ministrave për Kosovën që do të miratohen sot janë të qarta, e edhe të pritura.
Murati në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se ky është institucion ku përfaqesohen shtetet anëtare, dhe qëndrimi i shumicës se shteteve anëtare karshi Kosovës është i ditur, edhe për vizat, edhe për taksen, edhe për rrugëtimin evropian.
“S’ka BE pa luftë të mirëfilltë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Momentin për qëndrime të buta të BE-së ndaj nesh e kemi humbur, moti. Ky nuk është kthim mbrapa, sepse faktikisht Kosova ka qenë mbrapa në proces, dhe nuk ka si të shkojë më mbrapa sesa është tani. Kosova tash e sa vite nuk e ka marrë seriozisht çështjen e integrimit në BE, duke mos qenë serioze në proces dhe duke mëtuar BE-në me deklarata e jo me punë. Duhet seriozitet maksimal, e mbi të gjitha njerëz të duhur për të quar përpara këtë proces”, ka thënë ai.
Ndërsa sipas analistit Ramush Tahiri, lidhur me këtë raport Kosova ka pasur pritje të mëdha për liberalizim të vizave, si dhe për rrugën evropiane.
Në një deklaratë për Telegrafin, Tahiri ka thënë se raporti duket që është shumë kritik.
“Konsideroj se çështja e liberalizimit të vizave më është turp i Evropës, i BE-së, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe të gjitha kriteret. Është e paarsyeshme në kohën kur Ukraina, Gjeorgjia, tani po negociohet Venezuela e plotë vende tjera që kanë marr liberalizim. Në këtë bazë nuk e konsideroj si politike të drejt apo të sinqert të Bashkimit Evropian. Ata i kanë çështjet e mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet dhe çështjen e bisedimeve me Serbinë. Por ky është vetëm një segment, pasi që liberalizimi i vizave do t’i ndihmonte shumë popullit të Kosovës, do t’i jepte shpresë për integrime evropiane dhe euroatlantike, dhe faktikisht do t’i penalizonte oligarkit”, ka thënë ai duke shtuar se në këtë rast po ndodh e kundërta po i favorizon oligrarkit, udhëqheqja që kanë viza dhe që kanë pasaporta diplomatik dhe shtete tjera dhe po e dënon popullin.
“Ndërsa vërejtjet tjera që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, me taksën, me korrupsionin, me punësimet e favorshme, me politikat jo të mira ekonomike, janë vërejtje me vend. Mirëpo është e habitshme që Këshilli i Evropës kërkon nga këta që i kanë bërë këto, këta të dalin t’i heqin. Do të thotë i adreson që Qeveria dhe udhëheqja e Kosovës që punojnë në këto lëmi t’i evitoj këto gabime. Lidhur me punësimet me precedent penal, politikat jo të mira ekonomike e plotë tjera janë për shkak të kësaj politike”, ka theksuar ai.
Tahir ka thënë se sa i përket marrëveshjes me Serbinë, BE nuk ka bërë ndonjë punë në këtë aspekt.
“Lidhur me marrëveshjen me Serbinë, Bashkimi Evropian, nuk është se ka bërë punë të madhe në këtë drejtim. Nuk ka bërë ndonjë marrëveshje dhe nuk ka ndonjë sygjerim. Bashkimi Evropian duhet t’i drejtohet drejt dhe njëjtë edhe Serbisë dhe Kosovës sa i përkët marrëveshjes. Dhe shkaqet përse nuk po bëhet marrëveshja, nuk është taksa por është për shkak se Serbisë e cila po dëshiron ta kthej Kosovën në sovranitet të vetin apo ta ndaj Kosovën. Pikërisht këtë punë Këshilli i Evropës duhet ta gjykojë, dhe në raport duhet ta shkruaj që Kosova e ka tërësinë dhe asnjë zgjidhje apo marrëveshje që po kërkohet të bëhet menjëherë të mos nënkuptonte kufijtë”, është shprehur ai.
Kujtojmë se ditë më parë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka thënë se është biseduar për marrëdhëniet e Kosovës me shtetin gjerman, por edhe tema si dialogu e vizat.
Haradinaj ka ritheksuar se Gjermania i ka thënë “PO” heqjes së vizave, duke shtuar se ka falënderuar për konsistencë në “mbrojtjen e sovranitetit”.
“Me këtë rast e falënderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”, ka thënë Haradinaj.
Telegrafi ka adresuar pyetje Qeverisë së Kosovës lidhur me kritikat e Këshillit të Ministrave, mirëpo kjo e fundit nuk është përgjigjur./Telegrafi/