Site icon Telegrafi

Kusari-Lila: Tre policët e rrëmbyer janë të burgosur politikë nga Serbia

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar të shtunën se nuk ka vend për neutralitet kur trajtohen sulmet e dhunshme në veri të Kosovës.

Në një postim në Twitter, ajo ka shkruar se tre policët kufitarë të Kosovës, të rrëmbyer më 14 qershor brenda territorit të vendit, tani janë të burgosur politikë nga Serbia.

Lexo po ashtu SHBA i kërkon Vuçiqit lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës

“Ekziston vetëm një agresor dhe është i lidhur drejtpërdrejt me regjimin aktual të Serbisë. Tre policë kufitarë të Kosovës të rrëmbyer, tani janë të burgosur politikë të mbajtur në Serbi”, ka thënë Kusari-Lila.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve, një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ministria e  Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, tha të premten se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë./Telegrafi/

Exit mobile version