Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur të paarsyeshëm vendimin e SBASHK-ut për vazhdimin e grevës në arsim.
Sipas saj, mësimdhënësit dhe nxënësit, të hënën e 12 shtatorit, duhet të takohen në shkolla.
“Nuk ka më asnjë arsyetim të dënohen fëmijët me mungesë mësimi si pasojë e kërkesave të SBASHK-ut, të cilat për tri vjet radhazi shtyjnë fillimin e vitit të ri shkollor”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Sipas saj, fëmijët nuk mund të shfrytëzohen si peng i qëllimeve të sindikatës, “pasojat e të cilit veprim do t’i vuajnë edhe shumë gjatë”.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), të dielën e 11 shtatorit, pas takimit me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, ka vendosur që të vazhdojnë grevën.
Në njoftim për media thuhet se kreu i BSPK-së ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për diskutimet në takimin me kryeministrin.
Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog edhe të ndodhë me qëllim që të debatohen të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme.
Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.
Ndërkohë, Këshilli i Prindërve i Kosovës ka paralajmëruar ndërmarrjen e disa veprimeve që do të mund të ndihmonin nxënësit derisa greva në arsim po vazhdon./Telegrafi/