Kancelari austriak, Sebastian Kurz pas takimit me presidentin Hashim Thaçi në një konferencë për media, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kurz ka treguar se ende ka shtete të BE-së të cilat janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave.
“Ka pasur vendim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, mirëpo tash pritet vendimi edhe Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian. Ende ka shtete të BE-së që janë shumë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Kurz.
Kurz ka theksuar se BE-ja vazhdon të ketë pritshmërinë e saj për Kosovën në fushën e ligjit, si dhe normalisht që duhet të arrihen edhe disa hapa të tjerë që janë të rëndësishëm për heqjen e vizave.
Kancelari austriak po ashtu ka theksuar se si prioritet kryesor mbetet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se duhet të arrihet një marrëveshje mes të dyja vendeve. /Telegrafi/