Telegrafi

Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Zaevin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Unionit Social Demokratik të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti dhe Zaev kanë diskutuar për menaxhimin me COVID-19 në të dy vendet.

“Kryeministri në detyrë Kurti dhe qeveria e tij u përgëzuan për menaxhimin shembullor me pandeminë. Ndërsa, Zaev e njoftoi Kryeministrin në detyrë Kurti se Maqedonia e Veriut është ballafaquar me pandeminë me një Qeveri teknike në detyrë, por se shpejt do të përcaktohet data e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat priten të mbahen në korrik të këtij viti”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.

Sipas komunikatës, në rrafshin e bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal, Zaev i ka ofruar Kurtit gatishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë.

“Ai tha se ka respekt të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore ashtu sikurse kanë edhe qëllim të përbashkët anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Prandaj edhe bashkëpunimi dhe koordinimi janë të rëndësishëm”.

Gjithashtu, thuhet se në takim u diskutua edhe tema e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri në detyrë Kurti dhe Zaev u pajtuan se dialogu është i suksesshëm atëherë kur prodhon një marrëveshje të pranueshme e largpamëse, dhe një marrëveshje të qëndrueshme si për palët e përfshira në të ashtu edhe për rajonin” thuhet në komunikatë. /Telegrafi/