Site icon Telegrafi

Kurti: Zero raste të vdekjes nga COVID-19, shpresë që lakorja e të infektuarve po shënon rënie

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se raporti i sotëm i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rrit shpresat që lakorja e rasteve të reja me coronavirus të pësoj rënie.

Sot, kur pas disa muajsh në Kosovë nuk u raportua asnjë rast i vdekjes nga COVID-19, janë bërë edhe dy muaj që kur Kurti u zgjodh kryeministër i vendit.

Ai përmes një postimi në Instagram tha se rezultatet e sotme rrisin shpresën që edhe numjri i të vaksinuarve dhe të shëruarve të rritet.

“Sot, kur u bënë dy muaj qëkur Qeveria jonë mori besimin e Kuvendit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës raporton për zero raste vdekjeje nga COVID-19. Kjo e shtunë i rritë shpresat tona me lakoret që shënojnë rënie të rasteve të reja dhe rritje të numrit të të vaksinuarve dhe të të shëruarve nga COVID-19”, shkruan Kurti.

Kurti shtoi se”Ky përparim i brishtë shumë prej nesh i gjen në pikëllimin e thellë për më të dashurit që humbëm. Çdo jetë e humbur nga kjo pandemi, është humbje e jona kolektive”.

“Të qëndrojmë të bashkuar deri në ditën kur lakorja për të cilën do të flasim, do të jetë ajo e buzëqeshjes në fytyrat tona për fitoren ndaj virusit”, shkruan ai krahas grafikës ku janë bërë krahasimet e rasteve të reja, të të shëruarve dhe të vdekurve nga COVID-19 nga marsi në maj. /Telegrafi/

Exit mobile version