Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar zyrtarin policor, Ekrem Neziri, i cili u plagos mbrëmë në veri të vendit.
I njëjti është operuar me sukses në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Ekrem Neziri, polici që u plagos mbrëmë në veri të Kosovës, është operuar me sukses të plotë sot në QKUK. Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mire”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se me të këtillë zyrtarë mbahet shteti.
“Kriminelët do të ndiqen e dënohen”, ka përfunduar ai.
Polici Ekrem Neziri është lënduar si pasojë e një sulmi që ka ndodhur mbrëmë ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Serbovc të Zveçanit.
Sipas njoftimit të policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit “Audi”, ngjyrë hiri, me targa KM. /Telegrafi/