Telegrafi

Kurti viziton korporatën Uber, startup-in gjigant në Kaliforni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron për vizitë në SHBA, sot bashkë me zv.ministren e Jashtme Liza Gashi dhe këshilltarin për Teknologji të Informacionit Lulezon Jagxhiu — kanë vizituar korporatën Uber, një ndër startup-et e reja në Kaliforni, që u shndërrua në gjigant.

Kurti, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se  startup-et në zhvillim, që u shndërruan në gjigantë të njohur, si Uber në Kaliforni, na kujtojnë se një vend i ri si Kosova.

“Në Kaliforni, startup-et në zhvillim, që u shndërruan në gjigantë të njohur – si Uber – na kujtojnë se një vend i ri si Kosova, unik në nivelin tonë të dëshirës personale dhe talentit krijues, ka një të ardhme të ndritur në inovacion, duke paraqitur një mundësi të madhe për investime dhe partneritet në SHBA”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, cili bashkë me kryeministrin po qëndron në SHBA, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Uber punëson 29,300 punëtorë nëpër botë dhe ka qarkullim vjetor prej 5.8 milliardë dollarëve apo 5.5 miliardë euro.

“Kjo na kujton se një vend i ri si Kosova, unik për kah vullneti individual dhe talenti krijues, ka një të ardhme të ndritur në inovacion, gjë që paraqet një mundësi të madhe për investime dhe partneritet me SHBA-të”, ka shkruar Dalipi. /Telegrafi/