Vizitën e tij në Pejë kryeministri Kurti e filloi në Qendrën Nacionale të Xhudos, ku u mirëprit nga Kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka dhe ekipi kampion i xhudistëve.
Sipas komunikatës nga Kryeminsitria, në këtë takim, ata i prezantuan kryeministrit projektin e zgjerimit të Qendrës Nacionale të Xhudos si pjesë e programit “Kosova, shtet i Xhudos”. Qeveria po investon në fuqizimin e xhudos përbrenda vendit dhe në promovimin ndërkombëtar përmes mirëmbajtjes dhe rritjes së mëtejme të rezultateve të xhudistëve tanë.
Ndalesën e radhës, kryeministri Kurti e pati te Kulla e Ministerit, e cila ka një arkitekturë e stil të veçantë, dhe e cila po restaurohet në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të vazhduar në Çarshinë e Gjatë, e cila përkundër shkatërrimit masovik nga forcat serbe është rindërtuar. E më pas, vizita vazhdoi në dyqanin qindravjeçar të briskpunuesit Musa Gorani, i cili është restauruar dhe funksionalizuar falë mbështetjes direkte të Qeverisë.
Përmbylljen e vizitës së tij në qytetin e Pejës, Kryeministri Kurti e bëri me vizitën në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, ku u takua me drejtuesit e Anibarit dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të animuar, i cili sipas kryeministrit zë një vend të rëndësishëm në skenën tonë të artit duke promovuar diversitetin dhe kulturën tonë përmes filmave të animuar e shumë programeve të tjera. Edicioni i 14-të i festivalit Anibar po zhvillohet nga data 17 korrik deri me 23 korrik.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi dhe deputetët Gramos Agusholli, Fatmire Kollçaku dhe Ardian Gola.
Në këto dy vite janë zhvilluar projekte të shumta të restaurimit në rajonin e Pejës dhe po punojmë që ky potencial të shndërrohet në mirëqenie për qytetarët, thuhet në njoftim. /Telegrafi/