Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përmbyllje të vitit 2022 organizoi pritjen e fundvitit me gazetarë.
Ai i falënderoi gazetarët për raportimet publike dhe për hulumtimet profesionale, kritikat, vërejtjet dhe për sugjerimet që i kanë bërë.
“Viti 2022 ishte vit i krizave të shumëfishta por në Republikën e Kosovës njëkohësisht ishte vit i rritjes së ekonomisë, ligjshmërisë dhe demokracisë brenda vendit tonë si dhe i imazhit të Kosovës jashtë në botë. Tash viti 2023 duhet të jetë vit i vetingut për drejtësi dhe i zhvillimit edhe më të madh në ekonomi, theksoi Kurti.
Në veçanti përshëndeti gazetarët, të cilët sot janë në veri të Ibrit duke raportuar prej andej.
“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën,” tha Kurti.
Ai uroi mirëseardhje në këtë takim të fundvitit, veçanërisht gazetarëve nga Ukraina. Me këtë rast ai ritheksoi se është nder dhe kënaqësi që mund të ju ndihmojmë atyre teksa me luftën e tyre në Ukrainë ata po i ndihmojnë lirisë, demokracisë dhe sigurisë jo vetëm të kontinentit tonë evropian.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar gazetarë,
U uroj mirëseardhje në këtë takim të fundvitit, veçanërisht për gazetarët nga Ukraina, me ç’rast e ritheksojmë se është nder dhe kënaqësi që mund të ju ndihmojmë atyre teksa me luftën e tyre në Ukrainë ata po i ndihmojnë lirisë, demokracisë dhe sigurisë jo vetëm të kontinentit tonë evropian.
Ju faleminderit të gjithëve për raportimet publike dhe për hulumtimet profesionale që i keni bërë, për kritikat, për vërejtjet dhe për sugjerimet që na i keni bërë. Si Qeveri ende nuk jemi në mes të mandatit, në gjysmë të mandatit, por progresi si dhe sfidat janë evidente. Viti 2022 ishte vit i krizave të shumëfishta por në Republikën e Kosovës njëkohësisht ishte vit i rritjes së ekonomisë, ligjshmërisë dhe demokracisë brenda vendit tonë si dhe i imazhit të Kosovës jashtë në botë.
Në veçanti më lejoni t’i përshëndes gazetarët, kolegët tuaj, të cilët sot janë në veri të Ibrit duke raportuar prej andej.
Ata nuk janë këtu me neve sot, por ne jemi me ta atje përherë. Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë.
Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën.
Në këtë vit që po e lëmë pas për çështjen e drejtësisë opozita nuk na e ka dhënë ndonjë ide, kurse për atë të ekonomisë e kanë veç një ide, heqjen e TVSH-së, i falënderojmë.
Tash viti 2023 duhet të jetë vit i vetingut për drejtësi dhe i zhvillimit edhe më të madh në ekonomi. Puna jonë, informimi juaj, mirëqenia e qytetarëve.
Ju faleminderit e gëzuar!