Telegrafi

Kurti: Veprimi i djeshëm i Serbisë ishte agresion – e çuditshme heshtja e ndërkombëtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe intencë për eskalim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim”, tha Kurti.

Kryeministri ka shtuar se cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia i detyron që të rrisin kontrollet kufitare.

“Varësisht nga analizat dhe vlerësimet e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në raste kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik. Veprimet e radhës do të ndërmerren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse”, tha Kurti.

Lexo po ashtu Mblidhet Këshilli i Sigurisë, Kurti e Sveçla konferencë për media

Kurti shtoi se synimi i tyre është siguria, e siguria fillon tek kufijtë.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer dhe ftojmë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, tha kryeministri.

Lexo po ashtu Mblidhet Këshilli i Sigurisë, Kurti e Sveçla konferencë për media

Kreu i Qeverisë tha se është e çuditshme se si faktori ndërkombëtar po hesht ndaj veprimeve të Serbisë.

“Serbia nuk ka ndryshuar me qëllime, motive e apetite nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destablizim. Rrëmbimi i tre policëve është dëshmia më e qartë për këtë”, tha Kurti. /Telegrafi/