Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel për Festën Kombëtare të vendit të saj, duke thënë se kjo festë nuk është vetëm e Francës por është ngjarje historike në tërë botën për shkak të rëndësisë që ka.
Kurti tha se 14 Korriku shënon aktin më të lartë të epopesë së modernitetit që edhe sot na kujton se beteja për liri, barazi e solidaritet mes njerëzve të thjeshtë kundër shtypjes, shfrytëzimit dhe padrejtësive të një̈ pakice ndryshon për të mirë kursin dhe rrjedhën e historisë.
“Sot është 14 Korriku, Festa Kombëtare e Francës e cila nuk festohet vetëm në Francë por në të gjithë botën për shkak të rëndësisë që bart, si ngjarje historike. Me datë 14 korrik 1789 përplot qytetarë të shpronësuar, të varfër e të bashkuar me punëtorë e ushtarë, kryen një sulm mbi burgun e Bastijës ku po mbaheshin të burgosurit politikë të regjimit monarkik absolutist, për t’i dhënë kështu shkëndijën e parë fundit të feudalizmit në Francë, por edhe në vende të tjera që ndoqën këtë përpjekje për liri. Është̈ kjo datë që shënon aktin më të lartë të epopesë së modernitetit që edhe sot na kujton se beteja për liri, barazi e solidaritet mes njerëzve të thjeshtë kundër shtypjes, shfrytëzimit dhe padrejtësive të një̈ pakice ndryshon për të mirë kursin dhe rrjedhën e historisë. Ky revolucion ka frymëzuar e vazhdon ta mbajë lart shpirtin te subjektet progresiste e emancipuese në botë, e që rrezatoi edhe mbi luftën e popullit tonë drejt lirisë̈. Me këto ideale në mendje, për të cilat Francës i është̈ mirënjohës mbarë njerëzimi, dëshiroj t’i uroj ambasadores franceze në Kosovë dhe gjithë̈ popullit e institucioneve franceze, gëzuar Festën Kombëtare”, shkruan Kurti. /Telegrafi/